Secondary Adv

Të gjithë po japin shtëpinë me qira, të ardhurat zyrtare arritën në rreth 400 mln euro në 2025

Qiradhënia po kthehet në një nga burimet kryesore të të ardhurave, ndërsa çmimet vijojnë rritjen e fortë në treg.

Tregu i qiradhënies në Shqipëri ka njohur një zgjerim të ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar rritjen e kërkesës dhe orientimin e shumë individëve drejt dhënies së pronave me qira, si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat nga tatimi mbi qiratë arritën në 5.8 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë një vit më parë, me rritje 8.5 për qind.

 

Paralelisht, është zgjeruar edhe baza e tatueshme, duke arritur në 38.6 miliardë lekë, rreth 3 miliardë lekë më shumë se në 2024. Kjo rritje tregon si shtimin e kontratave të deklaruara, ashtu edhe reflektimin e çmimeve më të larta të qirave në treg.

 

Rritje e fortë edhe në qiratë afatshkurtra

Një pjesë e konsiderueshme e stokut të banesave është zhvendosur drejt qirave afatshkurtra për turistët, duke ulur ofertën për qira afatgjata, sidomos në Tiranë dhe në zonat bregdetare. Sipas të dhënave nga AirDNA dhe platformat ndërkombëtare, në vitin 2025 në Shqipëri u listuan rreth 26.3 mijë apartamente për qira ditore, nga 21 mijë një vit më parë, me një rritje prej mbi 25 për qind.

 

Këto njësi gjeneruan rreth 134 milionë euro të ardhura gjatë vitit, një nivel rekord për tregun vendas dhe me rritje 23.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

 

Presion mbi qiratë afatgjata

Rritja e qirave ditore ka sjellë tkurrje të ofertës për qira afatgjata, duke ushtruar presion të fortë mbi çmimet mujore. Në Tiranë, qiratë në periferi nisin nga 250–300 euro, ndërsa në zonat qendrore arrijnë nga 500 deri në 1000 euro në muaj. Për vilat, çmimet mund të shkojnë deri në 5000 euro në muaj.

 

Kjo situatë është ndikuar edhe nga zhvendosja e popullsisë drejt kryeqytetit për punësim dhe arsim, duke mbajtur kërkesën në nivele të larta pavarësisht rritjes së ndërtimit të banesave.

 

Ndikim në inflacion dhe buxhet

Rritja e çmimeve të qirave ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në inflacion, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit. Në të njëjtën kohë, ajo ka sjellë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe për pronarët e pasurive.

 

Megjithatë, për qiramarrësit, veçanërisht të rinjtë dhe familjet e reja, kjo prirje po kthehet në një barrë financiare gjithnjë e më të vështirë për t’u përballuar, duke tejkaluar shpesh ritmet e rritjes së të ardhurave.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat